Posted by: isabelacocoli | February 11, 2010

Zbulimi i një varri masiv në Malin e Dajtit

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington


Një bir që endet duke gërmuar për të gjetur eshtrat e babait të tij të pushkatuar gjatë viteve të rregjimit komunist në Shqipëri. Në një farë forme ai arrin t’i marrë informacion një prej anëtarëve të togës së ekzekutimit, tani në moshë të thyer, se eshtrat e një grupi njerëzish janë diku në Malin e Dajtit. Sipas artikujve të ditëve të fundit në shtypin shqiptar, të afërmit e personave të ekzekutuar thonë se bëhet fjalë për disa mijëra burra e gra të vrarë që nuk u dihet varri.

Kanë kaluar tashmë rreth 20 vjet nga rënia e komunizmit në Shqipëri dhe ende nuk janë zbardhur krimet e këtij rregjimi të urryer në atë formë që do ta çlironte shoqërinë shqiptare nga haluçinacionet e krimeve nga më të rëndat që përjetoi Evropa Lindore e Qendrore për një periudhë të konsiderueshme të shekullit të 20-të. Çështja e “varrit masiv” në Dajt po hetohet, por nga kush? Sipas shtypit shqiptar nga i biri i një prej drejtorëve të degëve të punëve të brendëshme dhe nipi i një prej ish anëtarëve të Byrosë Politike, Hysni Kapo, të dy autorë ose bashkëpunëtorë të këtyre krimeve.

Me siguri në arkivat e shtetit shqiptar ekziston informacion i mjaftueshëm për vendndodhjen e të ekzekutuarve, por mungon vullneti i mirë i udhëheqësve shqiptarë të pas kumunizmit për ta hapur, shqyrtuar deri në themel dhe për t’i dhënë një zgjidhje dinjitoze këtij problemi që nuk mund të lihet pezull pafundësisht. Sa më shpejt aq më mirë do të ishte për një shtet, një shoqëri që aspiron të integrohet në familjen evropiane.

Ka mjaft shembuj në vendet ish komuniste, ku njerëz që u shërbyen rregjimeve komuniste kanë patur kurajon civile të flasin hapur për krimet e kryera në atë periudhë, përmes librave apo deklaratave publike e forma të tjera komunikimi. Ka patur edhe nga ata, më pak kurajozë që kanë informuar në mënyrë anonime për t’i çuar të interesuarit drejt të vërtetës së hidhur por të domosdoshme për ata që kërkojnë të dashurit e zhdukur pa lënë gjurmë. Madje, do të ishte në interesin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare që edhe në Shipëri të vendosej një praktikë e tillë kundër frikës nga e kaluara.

Nëse keni informacion për fakte të tilla, ju mund ta lini atë edhe në email-in e Zërit të Amerikës shqip@voanews.com apo në këtë bllog. Email-i dhe personi juaj do të mbeten anonimë.
 

Leave a comment

Categories