Posted by: isabelacocoli | December 2, 2008

SHBA: EULEX-i do të veprojë në gjithë territorin e Kosovës

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

security-council-pic_1Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi më 26 nëntor 2008 raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e Misionit të UNMIK-ut dhe vendosjen e EULEX-it në Kosovë.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Daniel Fried, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se vendosja e EULEX-it në Kosovë i shërben forcimit të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë në vend.  Kosova shënoi një fitore të madhe, duke kundërshtuar planin 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, thotë diplomati i lartë amerikan, dhe Kombet e Bashkuara, Evropa, dhe Shtetet e Bashkuara e pranuan dhe e respektuan këtë qendrim të saj.  Kjo do të thotë se çdo marrëveshje në të ardhmen duhet të negociohet dhe diskutohet me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thanë se vendimi i Këshillit të Sigurimit është një ngjarje mjaft pozitive për Kosovën, i cili i hap rrugën vendosjes së EULEX-it, të parashikuar në planin Ahtisari, në një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të pandarë. Në deklaratën e Departamenti të Shtetit, thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm për t’ia përshtatur rolin e OKB-së realitetit të ri të krijuar në Kosovë, duke zvogëluar misionin e UNMIK-ut dhe duke ia kaluar kompetencat për drejtësinë dhe policinë misionit të EULEX-it, ku do të dërgojnë 80 policë, gjykatës dhe prokurorë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara përshëndesin përparimin e konsiderueshëm që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të këtij viti dhe theksojnë rëndësinë e respektimit të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë teritoriale të Kosovës.  Shtetet e Bashkuara theksojnë në veçanti angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se masat e parashikuara për periudhën e kalimit të kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i do të zbatohen  në bashkëpunim dhe konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës.

Edhe një herë më 26 nëntor, qendrimet e palës shqiptare dhe asaj serbe për sa i përket satusit të Kosovës si shtet i ri i pavarur, ishin diametralisht të kundërta. Ishin fare të qarta përplasjet e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, dhe atij serb, Vuk Jeremeç, në fjalimet e tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Duke iu referuar realitetet në terren, edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier nga Italia, tha se megjithë arritjet e deritanishme, shqiptarët dhe serbët në Kosovë mbeten të ndarë.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në sesionin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit, Rozmari Dikarlo, përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara që veprimet në të ardhmen të ndërmerren duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe mbështetjen për angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vazhduar konsultimet dhe bashkërendimin me autoritetet në Prishtinë. Shtetet e Bashkuara, tha në mbyllje të fjalës së saj zonja Dikarlo, u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë process, në veçanti qeverive të Kosovës dhe Serbisë, të angazhohen në një mënyrë që garanton vendosjen e shpejtë të misionit të EULEX-it në Kosovë dhe suksesin e tij.

Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin
Petersen: Në Kosovë ka vetëm një autoritet, ai i popullit të Kosovës
Uizner: Për Amerikën, Kosova është anëtare e familjes së shteteve
Prof. Dr. Jusuf Bajraktari komenton për EULEX-in në Kosovë
Kryetari i Partisë AKR, Behxhet Pacolli, komenton për Eulex-in
Analisti Nexhmedin Spahiu komenton për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë
Intervistë me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni

Kosovë: Autoritetet kundërshtojnë çdo plan që prek sovranitetin
Blerim Shala: EULEX funksional vetëm sipas planit Ahtisari dhe Kushtetutës


Responses

  1. EULEX do te funksionoje ne Kosove duan apo nuk duan mbetjet e trashegimnise, apo ato qe gelltiten nje luge corbe te prishur nga komunizmi shqiptaro-serb qe ne emer te te ashtuquajtures shoqata jo qeveritare festojne ditlindjen e diktatorit komunist Enver Hoxhes me moton “perca, sherbe dhe sundo”, nje moto qe vazhdon te jete prezent per mese 60 vitesh ne Shqiperi-Kosove, refleks i se siles eshte nje korrupsion i tejzgjatur dhe nje krim i pa ndeshkuar.

    Prof.Sami Repishti me te drejte ka thene se “nje krim qe nuk ndeshkohet eshte nje krim qe vazhdon”. Kjo eshte panorama ne politiken shqiptaro-kosovare, ku ne Shqiperi qeveria e Sali-Nanos bente kondrabanten e armeve dhe te naftes me Serbine e Miloshevicit-Karaxhicit, etj. Kurse ne Kosove politika kosovare arreston shtetas Gjermane qe hulumtonin nje krim, te dyja se bashku me disa shoqata jo qeveritare shqiptaro-sebo-kosovare me veprimet e tyre prej lubrifikantesh ne igranazhet e komunistizimit, i sherbejne vetem mostrave te vazhdimesise kriminale komuniste qe si lubi cfaqet ne menyre demostrative ne korrupsion dhe ne shume krime qe akoma kane mbrojtjen e pushtetit. Duan apo nuk duan [disa te] kombit shqiptaro-serbo-kosovar, vendosja e EULEX-sit eshte nje vendim brilant dhe i shkelqyer i politikave Amerikano-Europiane. Pershendetje EUROPES dhe AMERIKES dhe ZOTI i bekofte ATO.


Leave a comment

Categories