Posted by: isabelacocoli | April 27, 2009

Memorandumet e CIAs: Sigurimi kombëtar… të drejtat e njeriut… liria e informimit… Ku qendron balanca?

Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington

ciaAmerikanët duan të dinë gjithçka bëhet në rangjet qeveritare. Por megjithëse nga njëra anë kjo është e drejtë kushtetuese e një vendi demokratik për të mbajtur përgjegjese qeverinë për veprimet e saj, nga ana tjetër vihet në diskutim çështja e sigurimit kombëtar dhe sa mund të kompromentohet ai kur hapen për publikun e gjerë dokumente të tilla si memorandume sekrete të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, apo çfarëdo dokumenti tjetër që ka qarkulluar në mënyrë sekrete në instanca të ndryshme qeveritare.

Konkretisht, tre – katër javët e fundit, Presidenti Barak Obama i dha shkas një debati politik me publikimin e katër memorandumeve sekrete, ku pëshkruhen hollësitë e teknikave të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm që aplikoi administrata e presidentit Xhorxh W. Bush. Presidenti Obama e ndaloi përdorimin e këtyre teknikave pak pasi mori detyrën në janar.

Madje zoti Obama nuk ka përjashtuar as mundësinë për ndjekje penale të zyrtarëve të administratës paraardhëse, të cilët justifikuan përdorimin e metodave të ashpra ndaj të pandehurve. Por Presidenti ka siguruar agjentët dhe hetuesit e CIAs se nuk do të ndiqen penalisht nëse kanë respektuar udhëzimet e Departamentit të Drejtësisë. Kjo sikur të lë përshtypjen se diku janë kapërcyer caqet e ushtrimit të kompetencave, apo jo?

Drejtues të disa organizatave të të drejtave civile dhe të njeriut, si dhe anëtarë të Kongresit amerikan kërkojnë zhvillimin e një procesi hetimor për teknikat e marrjes në pyetje, në të cilat përfshihet edhe mbytja e simuluar. Ish nënpresidenti Dik Çejni e ka mbrojtur politikën e administratës Bush për këtë çështje dhe i ka bërë thirrje Presidentit Obama të thotë të vërtetën mbi rezultatet, dhe pikërisht se ata që u morrën në pyetje, sipas zotit Çejni, nxorrën informacione të vlefshme. Por Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, në përgjigje të pyetjeve që iu bënë në një seancë dëshmish në Kongres, tha se nuk e konsideronte ish nënpresidentin burim të besueshëm informacioni.

Një raport i kohëve të fundit i Senatit amerikan zbulon se në vitin 2002, CIA kërkoi leje nga administrata Bush për të marrë në pyetje persona të dyshuar si terroriste, duke përdorur metoda të ashpra hetimi dhe një prej më të debatueshmeve, vënia e njeriut nën presionin e ujit që krijon ndjenjën e mbytjes. Në këtë raport thohet se Kondolica Rajs, në atë kohë Këshilltare e Sigurisë Kombëtare, miratoi kërkesën e CIA-s për të përdorur këtë metodë ndaj operativit të al-Kaidës, Abu Zubaideh, nëse ajo miratohej nga Departamenti i Drejtësisë. Po ashtu në raport thuhet se një vit më vonë, nënpresidenti Çejni afirmoi mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për këtë dhe praktika të tjera.

Disa ish-drejtorë të CIAs e kishin kundërshtuar me forcë hapjen e memorandumeve, mes tyre gjenerali në pension, Majkëll Hajden, kreu i agjencisë nga viti 2006 deri në fillim të 2009s. Ai shprehu shqetësimin e tij duke thënë se efekti i rrezikshëm është se mund të ketë oficerë të agjencisë që të hezitojnë dhe të mos kryejnë detyrat që vendi pret prej tyre.

Kritikat kanë qënë të ashpra edhe nga republikanët në Kongres, të cilët kanë thënë se kur punon për komunitetin e zbulimit, disa gjëra duhet të mbeten brenda këtij komuniteti. Për më tepër, disa kanë bindjen se Presidentit Obama po përpiqet të vërë me çdo kusht në pozitë të vështirë paraardhësin e tij, Xhorxh Bush.

Që debati për këto çështje është polarizuar, kjo nuk ka asnjë dyshim. Por kujt i shërben ai dhe çfarë do të ishin pasojat e tij mbetet për t’u parë. Ju ftojmë të shprehini mendimet tuaja për këto çështje.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: