Isabela Çoçoli
Zëri i Amerikës, Uashington
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën Globale në Kopenhagë të Danimarkës (7 – 18 dhjetor 2009) me pjesëmarrjen e rreth 1500 delegatëve dhe vëzhguesve, shihet si shansi i fundit për arritjen e një marrëveshjeje që do të pasonte Protokollin e Kjotos. Shumë përkrahës të këtij protokolli kanë shkuar në Danimarkë me shpresën se do të arrihet një marrëveshje e re e zbatueshme pas 2012 për pakësimin e gazit serë në dekadat në vazhdim.Ndërsa disa analistë dhe studjues mendojnë se kjo është e vështirë të arrihet, pasi Protokolli i Kjotos nuk ka patur atë sukses që duhet për t’u rinovuar, të tjerë thonë se kjo është e domosdoshme dhe plotësisht e realizueshme. Grupet e mjedisit kanë këmbëngulur se arritja e një marrëveshjeje është me rëndësi imperative edhe për vetë ekzistencën e jetës në planetin tonë.
Shumica e shkencëtarëve thonë se veprimtaria njerëzore qendron pas ngrohjes globale, prandaj njerëzit duhet të bëjnë ndryshimet përkatëse në aktivitetin e tyre të përditshëm, por ata theksojnë njëkohësisht se politikat dhe ekonomia bëhen pengesë. Por ka edhe disa zëra, megjithëse në minoritet, që thonë se ngrohja globale është një problem i krijuar artificialisht për qëllime përfitimi, pasi ky është një proces i natyrshëm. Të ndodhur përpara konsensusit, pothuajse unanim për këtë çështje, ata që e mohojnë procesin e ndryshimeve klimatike janë përpjekur të zbatojnë taktika gjithnjë e më të sofistikuara për të sfiduar tezën shkencore që mbështet ngrohjen globale.
Objektivi i konferencës së Kopenhagës është të arrihet një marrëveshje për pakësimin e çlirimit të dioksidit të karbonit, të përhahen teknologji të reja më miqësore për mjedisin dhe të caktohen fonde që do të ndihmonin në realizimin e kuotave. Propozime për të pakësuar çlirimin e gazeve serë janë paraqitur nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Udhëheqës të ndryshëm kanë bërë deklarata të forta për nevojën e një marrëveshjeje edhe pse ende ka mospërputhje pikpamjesh për kohën, mënyrat dhe sigurimin e fondeve.
KOMENTE